Raportimi i Sinjalit për një rast të rrahjes te restoranti ‘Skenderbeu’ në Prizren, që nuk u denoncua ditën kur ndodhi, aktivizoi Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme. Pronari i lokalit, Skender Kastrati u arrestua, ndërsa nipat e tij, të cilët janë bashkëpronarë, pritet të intervistohen si të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
Skender Kastrati, i njohur me nofkën Daci, përfundoi në prangat e Policisë, pasi Gazeta Sinjali publikoi pamjet e rrahjes së dy vëllezërve Bytyqi, Avniut dhe Ilirjanit.
Daci u prangos dhe pas intervistimit u dërgua në mbajtje, si i dyshuari kryesor për këtë rast.
Sinjali ka mësuar se ndaj tij, nuk është bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë dhe i njëjti sot pasdite është liruar.
Ndërsa si të dyshuar për rastin, do të intervistohen edhe tre persona të tjerë, në mesin e të cilëve edhe nipat e tij, që janë po ashtu pronarë të restorantit ‘Skenderbeu’.
Për motive akoma të panjohura, ata janë përfshirë fillimisht në rrahjen e Avni Bytyqit, e më pas të vëllait të tij, Ilirjanit – në afërsi të restorantit.
Dy vëllezërit Bytyqi janë emra të njohur për organet e rendit, si pasojë e të kaluarës së tyre kriminale, të mbushur me plot raste e vepra penale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.