image Mërgimtari i kërkuar nga Policia shkakton telashe në Malishevë, sulmon zyrtarët policorë gjatë arrestimit

Siguri

Mërgimtari i kërkuar nga Policia shkakton telashe në Malishevë, sulmon zyrtarët policorë gjatë arrestimit

news image

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në fshatin Banjë të Malishevës, ku disa zyrtarë policorë dyshohet se janë sulmuar nga një qytetar.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur pasi Policia ka ndalur për kontroll një veturë me targa holandeze, pasi kanë dyshuar se personi që ndodhej brenda saj është i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës.

Gjatë kontrollimit të dokumenteve, 57-vjeçari ka rezultuar me urdhëresë aktive me ç’rast policët e kanë njoftuar se duhet të shoqërohet për në stacion policor.

E këtu filloi e gjithë drama, pasi që i dyshuari ka filluar të bëhet agresiv dhe nuk i është bindur urdhrave të zyrtarëve policorë dhe momentin që ata kanë intervenuar që ta arrestojnë, 57-vjeçari ka nisur t’i sulmojë ata duke i goditur.

Pavarësisht rezistencës, i dyshuari është arritur që të arrestohet, por ai sërish sulmoi policin i cili për shkaqe sigurie u afrua t’ia vendos rripin e sigurisë.

Si pasojë e sulmit fizik nga qytetari, zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime trupore për çka edhe kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.

Ndërkohë i dyshuari është dërguar në stacion policorë, mirëpo ka refuzuar që të japë deklaratë lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, 57-vjeçari është dërguar në vuajtje të dënimit.

/GazetaSinjali/