Ndonëse pandemia COVID-19 e ka lëkundur ekonominë e çdo shteti, e edhe të vendeve perëndimore, mërgimtarët kanë thyer rekordin e dërgimit të parave në Kosovë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës për muajin korrik 2020, diaspora ka dërguar rreth 18 milionë euro më shumë sesa muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Në korrik 2020, në Kosovë u sollën 91.6 milionë euro nga diaspora, kurse një vit më herët 73.9 milionë euro.
Krahasuar me periudhën gjashtëmujore të këtij viti me atë të vitit të kaluar, rezulton se mërgata i ka dërguar rreth 47 milionë euro më shumë në Kosovë. Në total, 526.1 milionë euro.
Gjermania është shteti prej ku dërgohen më së shumti para në Kosovë. Për tremujorin e parë të vitit 2020, nga Gjermania kanë ardhur 42.4 milionë euro, ndjekur nga Zvicra 20.8 milionë euro.
Kësisoj, për këtë periudhë, rritja e remitencave është për 1.3 për qind më e madhe se në vitin 2019. /Gazeta Sinjali