Mercedes-Benz ka ndalur prodhimin e motorit të njohur V8 biturbo 4.0-litërsh, me kodin M177, për disa modele të destinuara për tregun evropian.
Vendimi lidhet me standardet gjithnjë e më të rrepta evropiane për emetimet e gazrave dhe nivelin e zhurmës, të cilat motori nuk arrin t’i përmbushë më.
I prezantuar në vitin 2015, motori M177 është përdorur në disa prej modeleve më të njohura AMG, përfshirë C63, GT, GLC63 dhe E63. Për vite me radhë, ai u bë simbol i fuqisë së lartë, performancës sportive dhe tingullit karakteristik të automjeteve Mercedes-AMG.
Në kuadër të strategjisë së re, prodhuesi gjerman po e orienton gamën drejt motorëve me katër dhe gjashtë cilindra, të kombinuar me sisteme hibride, si dhe drejt automjeteve plotësisht elektrike.
Kjo qasje synon uljen e emetimeve të CO₂ dhe përshtatjen me kërkesat e reja mjedisore në Bashkimin Evropian.
Për adhuruesit e automobilizmit, largimi gradual i motorit V8 konsiderohet fundi i një epoke për modelet sportive AMG, të cilat janë njohur për fuqinë dhe zhurmën e tyre të veçantë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!