image Menaxhmenti i Ortopedisë shpërfill rekomandimet e Inspektoratit sanitar, Blloku operativ ende i mbyllur

Kosovë

Alarmante/ Menaxhmenti i Ortopedisë shpërfill rekomandimet e Inspektoratit sanitar, Blloku operativ ende i mbyllur

news image

Blloku operativ i Klinikës së Ortopedisë në Prishtinë vazhdon të mbetet jashtë funksionit për shkak të gjendjes së rëndë higjieniko-sanitare.

Ky bllok, që gjendet në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës u mbyll më 4 nëntor nga Inspektorati  Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë si rrjedhojë e masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të pacientëve.

Por, vendimi i Inspektoratit duket se ka hasur në vesh të shurdhër. Ai po shpërfillet nga përgjegjësit shëndetësorë.

Ndonëse kanë kaluar 10 ditë nga mbyllja, drejtori i Klinikës së Ortopedisë Arbër Tolaj dhe menaxhmenti i QKUK-së, i drejtuar nga Basri Sejdiu ende nuk kanë ndërmarr ndonjë veprim serioz për t`i zbatuar rekomandimet e Inspektoratit sanitar me qëllim të rifunksionalizimit të këtij blloku në shërbim të pacientëve.

Kryeinspektori sanitar Ibrahim Tërshnjaku ka deklaruar për Gazetën Sinjali, gjatë fundjavës së kaluar, kanë bërë një riinspektim i gjendjes, por sipas tij, gjendja ka mbetur e pandryshuar ndërsa përpjekjet për sanimin e saj kanë qenë fare minimale dhe të pamjaftueshme.

“Jo nuk është kthyer ende në funksion. Ende nuk janë evituar të gjitha ato të metat. Kemi qenë e kemi parë. E kemi bo një vizitë rreth riparimeve që janë bërë. Nuk kemi qenë të kënaqur  me riparimet dhe me të gjitha ato”, ka thënë Tërshnjaku për gazetën Sinjali.

Gjendja e rëndë higjieniko sanitare në këtë bllok të Ortopedisë ishte evidentuar që në tetor të këtij viti pas inspektimit të kryer në bazë të planit dhe programit të punës së Inspektoratit Sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Inspektorët kishin konstatuar se gjendja higjieniko sanitare dhe teknike në hapësirat e objektit është nën nivelin e duhur, duke evidentuar 12 vërejtje.

Në vendimin e lëshuar më 9 tetor, dy ditë pas inspektimit, konstatohet se punëtorët shëndetësorë nuk e kanë të kryer kontrollin shëndetësor bacilbartje, ka mungesë të dezinfektuesve për duar, mjete pune dhe sipërfaqe punuese,  në bllokun operativ ventilimi është jashtë funksionit ndërkaq nyjet sanitare janë të dëmtuara, pa ventilim natyral adekuat si dhe kundërmojnë.

Inspektorati poashtu kishte kontatuar se në hyrje të bllokut operativ kundërmon erë e mykut, si pasojë e pranisë së lagështisë në të gjitha hapësirat  e këtij blloku ndërsa muret dhe dyshemeja janë të dëmtuara dhe në disa hapësira ka prezencë të madhe të lagështisë.

Si pasojë e lagështisë në mure dhe dysheme vërehen dëmtime të rrjetit  elektrik, dritaret janë pjesërisht të dëmtuara dhe në dhomat e pacientëve ka mungesë të perdeve, thuhej në vendim.

Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kishte urdhëruar menaxhmentin e Klinikës Ortopedike që të bëjë pastrimin gjeneral dhe t`i gëlqerosë e dezinfektojë të gjitha hapësirat e klinikës, të bëjë riparimin e mureve dhe dyshemesë së dëmtuar, eliminimin e lagështisë  dhe riparimin e ventilimit, sigurimin e ujit të nxehtë dhe rregullimin e dëmtimeve në rrjetin elektrik  si dhe masa të tjera mbrojtës në hapësirat për rëntgen dhe të pajisjes së mjekëve me libreza, uniforma pune.

Përkundër këtyre konstatime shqetësuese, kërkesat e Inspektoratit nuk kanë filluar të zbatohen me seriozitet nga drejtuesit shëndetësorë në QKUK, ndërkohë që kryeinspektorati sanitar thekson se nuk kanë pranuar asnjë paralajmërim rreth afatit kohor kur pritet të zbatohen këto rekomandime. Ai thotë se inspektorati ka kryer punën e tij dhe se nuk vepron derisa nuk evitohen të metat. /Gazeta Sinjali/