Suedia njihet si një nga shtetet që nuk ka marrë masa të ashpëra në menaxhimin e situatës me Koronavirusin, por spitalet atje janë përgatitur maksimalisht për të përballur pandeminë, thotë për Gazetën Sinjali, Armend Agolli neurokirurg spinal i cili punon në Stokholm të Suedisë.
“Puna po ecën mirë me disa masa të ndërmara, për shembull të gjithë pacientët që janë mbi moshën 65 vjeçare për raste jo urgjente vizitat kryhen online, operimet janë zvogëluar në mbi 50 përqind dhe ato bëhen vetëm të pacientët nën moshën 55 vjeçare që nuk kanë ndonjë sëmundje tjetër shoqëruese” thotë Agolli.
Agolli thotë se Suedia ka investuar në edukimin dhe riedukimin e stafit në përdorimin e respiratorëve, janë ndarë repartet për pacientët e prekur nga virusi dhe janë shtuar numrat e shtretërve.
Doktori thotë se Suedia nuk u fut në karantinë por në vend të masave të ashpëra u promovua shumë distancimi social dhe kjo po respektohet nga popullata.
“Suedia këshilloi që të shmangen kontaktet, te mbahet distance sociale dhe rekomandoi njerëzit që të punojnë nga shtëpia, të pastrojnë duart rregullisht dhe të shmangin udhëtimet pa ndonjë qëllim të arsyeshëm Shkollat nuk janë mbyllur, njësoj si bizneset, restoranet e kafenetë” thotë Agolli.
Sa i përket izolimit, Agolli thotë se është vështirë të flitet për të duke u bazuar në ndonjë bazë shkencore.
“Izolimi, karantina, mbyllja e kufijve asgjë nuk ka bazë shkencore, sipas epidemiologut suedez Tegnell mbyllja e kufijve është qesharake, sepse Covid-19 është në secilin shtet evropian tashmë” përfundon Agolli./Gazeta Sinjali/