Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për reflektim dhe afrimin ndërmjet njerëzve, raporton Gazeta Sinjali.
Në urimin e tij, Krasniqi ka përkujtuar vlerat e Bajramit si një mundësi për të reflektuar mbi jetën dhe për t’u falënderuar për të mirat që na ka dhënë Zoti.
“Gëzuar Festën e Fitër Bajramit! Kjo ditë le të sjellë në mesin tonë paqe, dashuri dhe harmoni”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka theksuar se Bajrami është një mundësi e artë për të përhapur mirësi dhe solidaritet.
Ai ka kujtuar fjalët e Profetit Muhamed, sipas të cilave “Njeriu më i dashur te Zoti është ai që u sjell më shumë dobi njerëzve”, duke nënvizuar rëndësinë e bëmirësisë dhe kujdesit për njëri-tjetrin, si një përpjekje për të ndihmuar ata që kanë nevojë.
Në fund, ai ka uruar që kjo festë të sjellë gëzim dhe harmoni në çdo familje, duke shprehur dëshirën që çdo shtëpi të mbushet me gëzim, tryezat me bereqet, dhe zemrat me dashuri.
“Uroj që shtëpitë tuaja të jenë të mbushura me gëzim, tryezat tuaja me bereqet dhe zemrat tuaja me dashuri”, ka përfunduar urimin e tij Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.