Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar raportimin e Sinjalit për një sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, në orët e mëngjesit.
Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.
Lidhur me këto sulme, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se brenda tri ditëve janë realizuar katër sulme të sinkronizuara në një territor ku sulmet kanë ndodhur shumë afër njëra tjetrës.
Ai ka thënë se më 13 prill kanë ndodhur dy sulme, më 14 prill një sulm dhe sot një sulm.
“Sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë, saktësisht në vendin që quhet Pragovë, rreth orës 20:40 minuta, janë dëgjuar katër deri në pesë të shtëna me rafal të shkurta, diku rreth 30 fishekë që dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga territori i Republikës së Serbisë. S’ka pasë të lënduar, por vetëm dëme materiale. Gjuajtjet kanë ndodhur në distancë 200-300 metra afër patrullës, në fshatin Bube, ku para disa kohe e kemi bërë mbylljen e kësaj rruge ilegale”.