image Mehaj: Gjermania aleat i Kosovës në rrugëtimin për BE dhe NATO

Politikë

Mehaj: Gjermania aleat i Kosovës në rrugëtimin për BE dhe NATO

news image

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, me disa zyrtarë të këtij shteti, Marcus Faber dhe Lars Lindemann.

Mehaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Gjermania është shtet aleat i Kosovës në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Në këtë mes, shtet mik i yni me të cilin kemi bashkëpunim të ngushtë është Republika Federale e Gjermanisë. Në këtë takim i informova parlamentarët gjermanë lidhur me angazhimin në avancimin dhe ngritjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, sipas standardeve të vendeve të NATO-s, procesin e realizimit të planit dhjetëvjeçar të tranzicionit të FSK-së, të arriturat e deritanishme në aspektin e reformës legjislative, dokumenteve strategjike, politikave integruese rajonale dhe euroatlantike, si dhe lidhur me operacionet  paqeruajtëse dhe ato humanitare”, ka shkruar ai.

Mehaj shtoi se gjatë takimit ata kanë diskutuar edhe për situatën aktuale gjeopolitike, rolin e FSK-së në këtë mes, ndihmën që mund të ofrojnë për Ukrainën, por dhe rëndësinë së ruajtjes së stabilitetit në vend.

“Me këtë rast, u diskutuan mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në mes të dy vendeve, në funksion të interesave të partneritetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe mundësinë e shkëmbimit të përvojave të përbashkëta në mes të ministrive dhe forcave të dy vendeve, me qëllimin kryesor ruajtjen e paqes në vend, rajon dhe më gjerë”, përfundoi ministri Mehaj.

/GazetaSinjali/