Për tre vite lobim në ShBA, Oda Ekonomike e Serbisë i ka paguar 1.3 milion dollarë kompanisë “Yorktown Solutions LLC”, dhe deri në fund të vitit 2022 do të ndajë edhe gjysmë milioni dollarë për shërbimet e saj.
Kështu shkruan mediumi serb “Nova.rs”, duke u thirrur në të dhënat e tij.
Sipas këtij shkrimi, në listën e kontakteve, të cilat kompania lobuese raportoi për Serbinë, përfshihen edhe Richard Grenell, i dërguari special i atëhershëm i presidentit amerikan për Serbinë dhe Kosovën, dhe Matthew Palmer, në atë kohë përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor.
Në regjistrin zyrtar amerikan FARA, në të cilin janë regjistruar të gjithë lobistët nga SHBA dhe janë publikuar kontratat e tyre, nuk ka asnjë informacion se Qeveria e Serbisë ka bërë marrëveshje me një shtëpi lobimi në atë vend.
Mirëpo, siç thuhet më tej, këtë e ka bërë Oda Ekonomike e Serbisë, e cila ka lidhur disa kontrata me kompaninë “Yorktown Solutions” për vitet 2019, 2020, 2021 dhe 2022 – e fundit është nënshkruar vetëm tetë ditë më parë.
Sipas dokumentit, kompania është e detyruar të ofrojë “këshilla strategjike në lidhje me temat e trajtuara nga SCC, të cilat ndikojnë në marrëdhëniet ekonomike SHBA-Serbe”. Kjo përfshin, siç thuhet më tej, “çështjet e menaxhimit dhe çështjet e qeverisë, të cilat pritet të përfshijnë kontakte me zyrtarë të qeverisë amerikane dhe përfaqësues të sektorit privat përkatës”. GazetaSinjali/