image Mediumi serb: Afati për konfirmimin e aktakuzave të para kundër UÇK-së skadon sot

Drejtësi

Mediumi serb: Afati për konfirmimin e aktakuzave të para kundër UÇK-së skadon sot

news image

Afati i fundit për konfirmimin e aktakuzave të para të Prokurorisë së Specializuar skadon sot, gjashtë muaj nga paraqitja e tyre në gjykatë, por ende nuk është e sigurt nëse vendimi i gjyqtarit që vendos për aktakuzat do të bëhet publik bashkë me detajet e aktakuzave. Kështu ka raportuar sot mediumi serb, Tanjug.

Ende nuk është bërë e ditur se cilët persona janë të përfshirë në këto aktakuza, as nuk dihet se për çfarë krimesh akuzohen, por, sipas mediumit serb, Dhomat e Specializuara kanë informuar publikun për paraqitjen e tyre më 24 shkurt, si dhe një tjetër të paraqitur në 24 prill kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, afati i së cilës për konfirmim skadon më 24 tetor, transmeton Gazeta Sinjali.

Gjykatësi i procedurës paraprake mund ta konfirmojë aktakuzën, ta refuzojë nëse konsideron se nuk ka prova ose ta kthejë atë në prokurori për plotësim, por ai nuk është i detyruar ta njoftojë publikun lidhur me vendimin e tij.

Avokati serb, Goran Petronijeviq nuk është i bindur që Gjykata Speciale do të fillojë t’i konfirmojë aktakuzat dhe pret që ato të kthehen në prokurori për ndryshim.

Siç deklaroi ai, marrja në pyetje e të akuzuarit Hashim Thaçi, i cili shkoi në Hagë në fillim të korrikut, flet gjithashtu për zhvillime në favor të vlerësimit të tij.

“Nëse aktakuza i paraqitet gjykatës në atë fazë të procedurës, nuk ka mundësi për seancën dëgjimore të saj, sepse tashmë është gjyqtari që vendos për konfirmimin” theksoi Petronijeviq. /Gazeta Sinjali