Një person nga Kosova ka humbur jetën në Suedi, pas të shtënave me armë që ndodhën të dielën rreth orës 21:00 në lagjen Kvarngardet të qytetit të Uppsalës.
Sipas informacioneve të publikuara nga njëra prej mediave më të lexuara në Suedi, Aftonbladet, i dyshuari po lëvizte me biçikletë kur qëlloi fillimisht një herë në drejtim të viktimës. Kur 20-vjeçari kishte rënë në tokë, i dyshuari iu afrua sërish me biçikletë dhe e qëlloi edhe një herë nga një distancë shumë e afërt.
Aftonbladet e ka përshkruar vrasjen si një “ekzekutim të pastër”, ndërsa sipas raportimeve të këtij mediumi, i dyshuari për kryerjen e vrasjes është një person nën moshën 18-vjeçare.
Pas vrasjes, i dyshuari dyshohet se u largua me tren në drejtim të Stokholmit. Autoritetet suedeze nisën një operacion për kapjen e tij, ndërsa të hënën në mëngjes ai u arrestua në një restorant të zinxhirit Burger King.
Policia suedeze ka bërë të ditur se, në këtë fazë të hetimeve, nuk mund të konfirmojë nëse të shtënat kanë ndonjë lidhje me krimin e organizuar apo me bandat kriminale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!