image Mediat serbe raportojnë se Kurti dhe Vuçiq do të priten ndaras në Bruksel

Politikë

Mediat serbe raportojnë se Kurti dhe Vuçiq do të priten ndaras në Bruksel

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq udhëtojnë drejt Brukselit. Atje do të priten nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kurti dhe Vuçiq fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me nikoqirët e Brukselit, raporton N1 në Beograd, filiali i mediumit të njohur ndërkombëtar, CNN.

Ajo që s’dihet ende është se me kë do të zhvillohet takimi i parë dypalësh.

Planifikohet edhe një takim trepalësh, pra një përballje Kurti-Vuçiq, sipas N1, por zhvillimi i këtij takimi thuhet se varet nga “rrjedha dhe rezultatet e negociatave dypalëshe”, si dhe nga përafrimi i paraprak i dy liderëve.

Vuçiq dhe Kurti u ulën për herë të fundit në tryezën e bisedimeve më 18 gusht, kur u pajtuan që të takohen një herë në muaj për t’i zgjidhur problemet aktuale dhe për ta parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të tensioneve.

Në Bruksel shpresojnë se negociatat nuk do të zgjasin shumë dhe çdo gjë mund të përfundojë deri në mesditë.

/GazetaSinjali/