Media izraelite Jerusalem News(JNS) ka raportuar se një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka mbërritur në Izrael për t’iu bashkuar Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (International Stabilization Force – ISF), e cila pritet të angazhohet në Rripin e Gazës.
Sipas raportimit, ushtarët e FSK-së do të kenë rol mbështetës në përpjekjet për sigurinë në Gaza, duke u angazhuar në fusha si logjistika dhe çështjet civile.
“Nëpunësit ushtarakë nga Kosova do të mbështesin përpjekjet për sigurinë në Gaza në fusha si logjistika dhe administrimi i çështjeve civile”, thuhet në njoftimin e Bordit për Paqe të presidentit amerikan Donald Trump, të publikuar në rrjetin social X.
JNS shkruan se kontingjenti nga Kosova i bashkohet trupave nga Maroku, të cilat mbërritën në Izrael muajin e kaluar, ndërsa edhe Shqipëria dhe Kazakistani pritet të kontribuojnë me personel në këtë forcë shumëkombëshe.
Sipas medias izraelite, Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit do të ketë detyrën të garantojë sigurinë në zonat humanitare pilot që po planifikohen në jug të Gazës. Këto zona synojnë të strehojnë civilë palestinezë të verifikuar dhe jashtë kontrollit të Hamasit.
Raporti thekson se zonat do të administrohen nga Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa siguria do të ofrohet nga trupat shumëkombëshe të ISF-së.
Sipas burimeve të cituara nga JNS, pas muajsh planifikimi tashmë janë nisur edhe procedurat për ndërtimin e bazës së Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe të kampit policor të NCAG-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!