image Mediat iraniane: Adoleshentja që ra në koma pas konfrontimit me policë, ka pësuar vdekje në tru

Botë

Mediat iraniane: Adoleshentja që ra në koma pas konfrontimit me policë, ka pësuar vdekje në tru

news image

Një vajzë adoleshente iraniane, e cila ra në koma në fillim të këtij muaji pas një konfrontimi të dyshuar me zyrtarët policorë për gjoja shkeljen e ligjit të hixhabit, ka pësuar vdekje në tru, raportuan të dielën mediat shtetërore iraniane.

“Hollësitë e fundit rreth gjendjes shëndetësore të Armita Gervanadit tregojnë se vdekja në tru është e sigurt për të, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor”, tha rrjeti i lajmeve i Republikës Islamike të Iranit.

Armita dhe dy shoqet e saj tentuan të futeshin në një stacion metroje në Teheran në fund të shtatorit, ku u ndaluan nga oficerët e policisë për shkak se nuk e kishin veshur hixhabin, bartja e të cilit është detyrim në Iran.

Oficerët e rrahën Armitën, 16-vjeçe, së cilës i ra të fikët më vonë pasi kishte hyrë në një tren.

Ajo u dërgua në spitalin e Forcave Ajrore, Fajr, në periferi të Teheranit, ku ka rënë në koma që nga 1 tetori, sipas grupeve për të drejtat e njeriut dhe gazetarëve të cilët pretendojnë se Armita është viktima më e fundit e ligjit brutal detyrues të Iranit për bartjen e shamisë së kokës.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit, IRNA, pretendon se Armita e kishte humbur vetëdijen pasi i kishte rënë shtypja e gjakut dhe si pasojë e kishte përplasur kokën në skajin e vagonit të metrosë.

Pamjet e publikuara nga IRNA prej kamerave të sigurisë, të cilat duket se janë ndrequr, e shfaqin një grup vajzash pa hixhab, apo shaminë e kokës, duke u futur në vagon. Pothuajse menjëherë, njëra nga vajzat zmbrapset dhe del jashtë vagonit. Ajo e tërheq jashtë vagonit një vajzë tjetër, e cila duket të jetë pandjenja.

Hyrja e stacioneve të metrosë në Teheran shpesh ruhet nga zyrtarë policorë, apo punonjës të kompanisë, të cilët ua ndalojnë hyrjen grave që nuk i përmbahen kodit të veshjes islamike.

Hengaë, një grup me bazë në Norvegji, i cili i vëzhgon shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran, e ka hedhur poshtë versionin zyrtar të ngjarjeve. Ky grup tha më 3 tetor se Garavandi ishte viktimë e “një sulmi të rëndë fizik” nga anëtarët e policisë famëkeqe të moralit dhe se ajo u sulmua për shkak se “nuk iu përmbajt ligjit për hixhabin”. /REL/

/GazetaSinjali/