image Më shumë se një vit nga vrasja me breshëri plumbash dhe djegia e Qerim Kelmendit, ende asnjë i arrestuar - Sinjali

Më shumë se një vit nga vrasja me breshëri plumbash dhe djegia e Qerim Kelmendit, ende asnjë i arrestuar

news image

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, u gjet i vrarë dhe i djegur, më 27 shkurt të vitit të kaluar rreth orës 01:00, pak metra larg shtëpisë së tij në fshatin Zahaq të Pejës.

Ai fillimisht dyshohet se u vra me breshëri automatiku dhe më pas u dogj në makinën e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Mirëpo, ndonëse kanë kaluar më shumë se 1 vit, vrasja e mistershme e tij nuk është zbardhur ende nga organet e drejtësisë dhe ende asnjë person i dyshuar nuk është sjellë para drejtësisë.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, në të cilën ky rast kishte kaluar nga Prokuroria Themelore në Pejë, por edhe pas tri ditësh, ende nuk ka pranuar përgjigje se në cilën fazë janë hetimet për këtë rast dhe cilat janë të gjeturat e këtyre hetimeve.

Se në cilën fazë janë hetimet dhe nëse ka arritur Prokuroria Speciale të identifikojë ndonjë person të dyshuar, nuk e dinë as familjarët e Qerim Kelmendit.

Nipi i tij, Ali Kelmendi tha për Gazetën Sinjali se deri tani nuk kanë marrë asnjë informacion nga Specialja sa u përket hetimeve për këtë rast.

Ani pse ka kaluar më shumë se 1 vit, ai shprehet optimist se Prokuroria Speciale do të bëjë diçka për zbardhjen e këtij rasti.

“Jo, deri më tash nuk ka kurgjo. Është në dorë të shtetit. Ja, ja, ja nuk na kanë jep asnjë informacion. Hetimet janë duke vazhdu. Krejt çka i kemi pas, ne i kemi deklaruar në polici dhe prokurori. Ajo mbetet në dorë të shtetit. Po shpresojmë, shpresojmë që do të zgjidhet ky rast. Jemi të kënaqur që rasti ka kaluar nga Prokuroria e Pejës në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, tash po presim”, tha ai për Sinjali.

Në përvjetorin e vrasjes së Kelmendit, familja e tij përmes një komunikate për media kishte kritikuar Specialen për mungesë të seriozitetit dhe i kishte bërë thirrje edhe kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, që në kuadër të kompetencave të tij, të ndërmarrë veprime ligjore për zbardhjen e këtij rasti./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin