image Më shumë se 24 orë në arrati: Policia aktivizon dronë dhe Njësinë K9 për kapjen e të dyshuarit për vrasjen në Klinë

Ekskluzive

Më shumë se 24 orë në arrati: Policia aktivizon dronë dhe Njësinë K9 për kapjen e të dyshuarit për vrasjen në Klinë

news image

Konfliktet familjare dyshohet se çuan në vrasjen e Anton Prelës, dje në lokalin Coyote Lounge Bar, në Klinë, ku ai u qëllua me armë zjarri nga dhëndëri i tij. I dyshuari Tush Frroku, i cili po ashtu ishte dhëndër i Prelës, pasi ishin të martuar me motrat e njëri-tjetrit, tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se për lokalizimin e vendndodhjes së Frrokut, tashmë janë aktivizuar dronët dhe Njësia K9 e Policisë së Kosovës.

Tashmë kanë kaluar më shumë se 24 orë qëkur ka ndodhur krimi i rëndë që tronditi Klinën dhe gjithë Kosovën, por autori ende po shijon lirinë nga arratia.

Gjithçka ndodhi pak para orës 17:00, kur në këtë lokal u dëgjuan të shtënat me armë. Ishte Frroku, ai që dyshohet se qëlloi në drejtim të Prelës, duke e lënë të plagosur dhe më pas iku me vrap nga vendi i ngjarjes, me qëllim arratisjen.

Teksa Policia u aktivizua për ta kapur, Frroku po dyshohet se ka kryer një vepër tjetër. Sipas sinjalizuesve të Sinjalit, ai ka grabitur një veturë taksie në mes të rrugës, duke e kërcënuar shoferin dhe me të njëjtin automjet është arratisur.

Por siç duket, ai ka bërë një plan tjetër që të humb gjurmët. Sipas informacioneve të para, veturën e grabitur, pas bastisjeve, Policia e ka gjetur në shtëpinë e tij, ku i dyshuari e kishte lënë dhe më pas është larguar sërish në një drejtim të panjohur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse, ku kanë bërë ekzaminimet e nevojshme.

Kujtojmë që Sinjali raportoi ekskluzivisht se pas rreth 3 vitesh prej kur ishte shpallur në kërkim, 48-vjeçari nga Istogu i dyshuar për vjedhje të rëndë, ishte ekstraduar në Kosovë më 14 shkurt nga shteti i Italisë dhe më pas ishte arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Frroku ishte shpallur në kërkim fillimisht nga Policia e Kosovës, në qershor të vitit 2020 dhe kishte arritur ta shijojë lirinë nga arratia.

Atë kojë, ai kërkohej në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, për dy raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.

Sinjali do të iu mbajë të informuar për detajet e reja.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/