Kanë kaluar 12 orë nga fillimi i shqiptimit të masës së qortimit nga Policia e Kosovës ndaj qytetarëve të cilët kanë targa ilegale, raporton Gazeta Sinjali.
Policia po u kërkon qytetarëve që të njëjtit të drejtohen në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
Zyrtarë nga Policia e Kosovës që ndodhen në veri të vendit tregojnë për Gazetën Sinjali, se përgjatë 12 orëve nuk ka pasur asnjë problem.
“Situata në veri të Kosovës është e qetë dhe deri tash nuk ka pasur asnjë reagim nga qytetarët serbë të cilët kanë pranuar qortimet”, thonë nga Policia.
Sipas tyre deri tash në Pikë Kalimet Kufitare Jarinje dhe Bërnjak e Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan nuk është shënuar asnjë problem dhe nuk ka pasur reagime.
Policia e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit të Qeverisë nga ora 00.00 për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale.