Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku në rrugën “Rrustem Hyseni” janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe për pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur, raporton Gazeta Sinjali.
Viktimë e rastit, siç raportoi Sinjali është Naser Gashi, 62 vjeçar, i cili përpos që dyshohet se u qëllua me armë, u raportua se u godit edhe me thikë në gjoks.
Gazeta Sinjali ka raportuar se i dyshuar për rastin është Alban Gashi. Ndërsa i plagosuri tjetër është Miftar Miftari, 41 vjeçar.
I dyshuari siç merr vesh Gazeta Sinjali ka të kaluar kriminale dhe siç mësohet ka pasur edhe më herët probleme me Miftar Miftarin.
Në momentin e krimit, Alban Gashi, dyshohet se ka qenë i shoqëruar edhe me se paku një person tjetër.
Mirëpo, ani pse kanë kaluar më shumë se 12 orë që kur ka ndodhur krimi, i dyshuari Alban Gashi, vazhdon të jetë ende në arrati.
Kështu kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Nuk ka asnjë të arrestuar për rastin. Prokurori i Shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me organet e Policisë janë duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore mbi këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.