Së fundit qyteti i Vushtrrisë ka shënuar më së shumti raste të reja me koronavirus në Kosovë, ku mbrëmë rezultuan pozitiv tetë persona nga kjo komunë.
Sot gjatë ditës pritet të dalin rezultatet e mostrave të marra nga kjo munë edhe për 30 persona të tjerë, si të dyshuar.
Komuna e Vushtrrisë është komuna e dytë me më së shumti raste të konfirmuara, 144 persona, pas Prizrenit me 147, por Vushtrria ka më së shumti raste aktive, gjithsej 106, larg më shumë se komunat e tjera.
“Situata për momentin duke e menaxhueshme se të gjitha këto janë raste të kontaktit. Sot pritet të dalin rezultate edhe për 30 mostra të marra dje nga terreni”, ka deklaruar drejtori i shëndetësisë në Vushtrri, Sylejman Meholli.
E 151 raste me koronavirus janë shtuar që nga 1 qershori e deri më sot në Kosovë, duke çuar numrin e rasteve aktive në 313.
Numri i të infektuarve është rritur shumë më shumë sesa ai i të shëruarve. Vetëm të dielën 40 persona u konfirmuan me koronavirus, ndërkaq gjashtë pacientë u raportuan të shëruar.
Deri tash numër më të madh të të infektuarve e ka Komuna e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Obiliqit, dhe kjo sipas IKSHPK-së ka ardhur nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave.
Sipas shifrave zyrtare, deri tash 1234 persona janë infektuar, 890 janë shëruar kurse 31 kanë vdekur./ Gazeta Sinjali/