Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është raportuar në Obiliq, ku një vajzë e re ka akuzuar babain e saj për dhunë fizike dhe psikike.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se dje në Policinë e Obiliqit është paraqitur një vajzë, R. K, rreth 20 vjeçare, e cila ka raportuar se më 7 maj, rreth orës 23:00, në rrugën “Shkodra” në Milloshevë – Obiliq, është sulmuar nga babai i saj, R.K, rreth 45 vjeçar.
Sipas viktimës, ajo ka qenë viktimë e dhunës fizike dhe psikike. Viktima dhe dëshmitarët janë intervistuar në prani të zyrtares së Qendrës për Punë Sociale, ndërsa i dyshuari është marrë në pyetje nga njësia e hetimeve në stacionin policor.
Rasti është trajtuar nga Sektori i Dhunës në Familje, dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar për veprën penale “Dhunë në familje”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!