image Me Projektligjin për Paga, kryetarët do paguhen varësisht numrit të banorëve në Komunat që udhëheqin

Financa

Me Projektligjin për Paga, kryetarët do paguhen varësisht numrit të banorëve në Komunat që udhëheqin

news image

Ministria e Punëve të Brendshme javën e kaluar e ka nxjerrë Projektligjin për paga në konsultime publik, qëllimi i të cilit është përcaktimi dhe rregullimi i sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Pagat e punëtorëve llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës për pozitën (nga 1 – 18 sipas projektligjit aktual) me vlerën monetare të koeficientit që mendohet se do të jetë 120 euro.

Në dokumentin e plotë i cili është publikuar nga Zyra e Kryeministrit, janë koeficientet e propozuar për punëtorët e shtetit, sipas të cilëve është propozuar që të jetë paga e secilit.

Me projektligjin e ri të pagave do të ketë ndryshim edhe në kategorizimin e pagave të kryetarëve të Komunave.

Varësisht nga numri i banorëve, do të ndryshojnë edhe pagat për kryetarët që drejtojnë ato Komuna.

Me këtë kategorizim, kryetari i kryeqytetit do të ketë koeficient të veçantë i cili nëse “përkthehet” në vlerë monetare i bie të paguhet 1,800 euro. Kurse rreth 250 euro më pak do të marrin kryetarët e Prizrenit dhe Ferizajt që menaxhojnë qytete me mbi 100 mijë banorë.

Ndërsa, dhjetë kryetarë tjerë do të marrin pagë prej 1,416 eurove, pasi Komunat që ata drejtojnë kanë më pak se 10 mijë banorë.

Projektligji duhet të kalojë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike, si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ky projektligj hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta.

Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 484 euro.

/GazetaSinjali/