image Me një fitore spektakolare, Crystal Palace 'turpëron' Manchester United

Futboll

Me një fitore spektakolare, Crystal Palace ‘turpëron’ Manchester United

news image

Manchester United ka pësuar humbje me rezultat të thellë 4-0 në udhëtim ndaj Crystal Palace në kuadër të javës së 36-të në Ligën Premier.

Dominimi i Crystal Palace u shfaq që në minutat e para të këtij takimi ku ata arritën që ta përfundojnë pjesën e parë me dy gola epërsi.

Michael Olise (12’) dribloi mirë dy lojtarë kundërshtar dhe shënoi një super gol për t’i dhënë avantazhin prej 1-0 vendasve.

Për të dyfishuar epërsinë e Palace u përkujdes Jean-Philippe Mateta (40’) i cili pranoi një pasim të bukur nga Chris Richards duke çuar topin në rrjetë për 2-0.

Crystal Palace e vazhdoi dominimin absolut edhe në pjesën e dytë ku arritën të gjejnë rrugën e rrjetës edhe në dy raste të tjera.

Tyrick Mitchell (58’) u gjend mjaft mirë në zonën e penalltisë dhe shënoi për rezultatin 3-0.

Goditjen përfundimtare Unitedit ia dha Michael Olise (66’) i cili kontrolloi një top nga Daniel Munoz dhe bëri një goditje të fuqishme e cila e la pa asnjë gjasë Andre Onanan për 4-0.

Kjo ndeshje shënoi një rekord të zi për ‘Djajtë e Kuq’ pasi për herë të parë në histori të klubit kanë humbur 13 ndeshje në një edicion të vetëm të Ligës Premier.

/GazetaSinjali/