image Me ngrohjen e motit në Ukrainë intensifikohen edhe luftimet në fushëbetejë

Botë

Me ngrohjen e motit në Ukrainë intensifikohen edhe luftimet në fushëbetejë

news image

Forcat ukrainase u përpoqën ta merrnin iniciativën në fushëbetejë në lokacione të shumta gjatë kohës së dimrit, derisa tentuan ta shmangnin një rrugë kur po tërhiqeshin nga Kursku, rajoni rus të cilin e pushtuan verën e kaluar.

Përgjatë gjithë vijës së frontit prej 1.100 kilometrash, trupat ruse e kanë ngadalësuar përparimin e tyre që zgjati me muaj, duke shfrytëzuar kushtet e lagështa në terren për të forcuar njësitë dhe për t’i rimbushur depot e armëve, në pritje të motit më të mirë.

Ato i rrënuan linjat e furnizimit të Ukrainës në Kursk për t’i detyruar trupat ukrainase të tërhiqen përtej kufirit, me çka i dhanë fund një inkursioni poshtërues për Rusinë, të cilin Kremlini dëshironte ta fshinte nga kujtesa.

Tani, sipas oficerit më të lartë ushtarak të Ukrainës, Rusia ka nisur një ofensivë të re pranverore në pjesët verilindore të Ukrainës.

Për të mos mbetur pas, Ukraina është kundërpërgjigjur, duke e kaluar për herë të dytë kufirin në territorin rus: në rajonin e Belgorodit, ndoshta me qëllimin për ta parandaluar ofensivën pranverore dhe për t’i mbajtur trupat ruse në pasiguri.

Po armëpushimi?

Muajin e kaluar, Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë shpallën pikat e përgjithshme të një armëpushimi – një ndalim i kufizuar i sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike si termocentralet, linjat e transmetimit, nënstacionet dhe struktura të ngjashme. Kievi e mbështeti armëpushimin e kufizuar, me kusht që Moska t’i përmbahej atij.

Më pas, pati një marrëveshje të përkohshme për të kufizuar luftime në rajonin e Detit të Zi, si pjesë e përpjekjeve për të rifilluar eksportet në shkallë të gjerë të produkteve bujqësore ukrainase dhe ruse. Megjithatë, Kremlini këmbënguli për disa kushte që ekspertët e jashtëm i cilësuan si të vështira, për të mos thënë të pamundura për t’u përmbushur.

Tashmë, pothuajse një muaj më vonë, armëpushimi është përkeqësuar deri në pikën e dështimit, ndërsa si Kievi ashtu edhe Moska vazhdojnë sulmet ditore duke përdorur dhjetëra dronë dhe raketa të fuqishme.

Më 4 prill, një raketë balistike ruse me municione thërrmuese goditi qytetin Krivi Rih, një sulm që zyrtarët rusë thanë se kishte në shënjestër një mbledhje ushtarake ukrainase.

Ukraina, megjithatë, tha se ishte goditur një qendër argëtimi dhe një kënd lojërash, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 20 njerëzve, përfshirë nëntë fëmijë.

Së voni, presidenti amerikan Donald Trump, i cili e ka bërë prioritet zgjidhjen e konfliktit, ka shprehur zhgënjimin për bombardimet e vazhdueshme ruse ndaj objektivave ukrainase, përfshirë edhe sulmin në Krivi Rih.

“Nuk jam i kënaqur me atë që po ndodh me bombardimet, sepse po bombardojnë si të çmendur tani”, u tha Trump gazetarëve më 7 prill. “Po bombardojnë – nuk e di çfarë po ndodh atje”.