image “Më kapi për fyti dhe më kërcënoi” – gruaja nga Ferizaj përfundon në strehimore, arrestohet bashkëshorti

Siguri

“Më kapi për fyti dhe më kërcënoi” – gruaja nga Ferizaj përfundon në strehimore, arrestohet bashkëshorti

news image

Një debat brenda familjes në Ferizaj dyshohet se eskaloi në dhunë fizike, duke detyruar një grua të kërkojë mbrojtje institucionale dhe strehim larg shtëpisë së saj.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është raportuar mëngjesin e së dielës në Policinë e Ferizajt, ku R.O. (50 vjeçe) ka denoncuar bashkëshortin e saj, H.O. (55 vjeç), për dhunë në familje.

Sipas deklarimit të viktimës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 në shtëpinë e tyre në fshatin Tërrn. Ajo ka treguar se bashkëshorti kishte filluar të bënte zhurmë nëpër shtëpi, ndërsa pasi i kishte kërkuar të qetësohej për shkak se pjesëtarët e tjerë të familjes po pushonin, situata kishte dalë jashtë kontrollit.

Viktima ka deklaruar se i dyshuari e kishte kapur për fyti me duar dhe e kishte kërcënuar verbalisht, duke bërë që ajo të ndjehej e rrezikuar për sigurinë e saj.

“E kam frikë të kthehem në shtëpi dhe të vazhdoj të jetoj me të”, ka deklaruar ajo para autoriteteve, duke kërkuar strehim emergjent.

Pas trajtimit mjekësor nga ekipi i QKMF-së në Ferizaj, dhe me asistimin e përfaqësueses së Qendrës për Punë Sociale, R. O. është dërguar në Strehimoren në Ferizaj.

Ndërkohë, Policia ka intervistuar edhe të dyshuarin H. O, ndërsa me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, sipas nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas përfundimit të intervistimit, H. O. i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ajo që nisi si një kërkesë për qetësi në shtëpi, përfundoi me një grua në strehimore dhe bashkëshortin e saj në qeli policore.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/