image “Ibrahimin e njoh nga burgu...”/ Çka deklaroi në Gjykatë Leotrim Latifi, i dyshuari për tentim grabitjen në Prizren

Drejtësi

“Ibrahimin e njoh nga burgu…”/ Çka deklaroi në Gjykatë Leotrim Latifi, i dyshuari për tentim grabitjen në Prizren

news image

Leotrim Latifi, Ibrahim Qadraku dhe Ruzhdi Fejzullahu janë tre të dyshuarit që u arrestuan dje, nën dyshimet për tentim grabitjen dhe plagosjen e dy pronarëve të argjendarisë në Prizren, mbrëmjen e së hënës. Ndaj tyre Prokuroria Themelore në Prizren kërkoi caktimin e masës së paraburgimit, kërkesë kjo që u aprovua nga Gjykata në një seancë të mbajtur në orët e mbrëmjes. Në këtë seancë i dyshuari Leotrim Latifi e ka mohuar të jetë njëri nga të dyshuarit për ngjarjen që terrorizoi Prizrenin. Ai ka folur edhe për lidhjen e tij me të dyshuarin tjetër, Ibrahim Qadrakun.

Çka deklaroi në seancën e së enjtes Leotrim Latifi?

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Besim Morinën, avokatin e Leotrim Latifit, i cili në senacën që u mbajt dje e ka kundërshtuar masën e paraburgimit ndaj klientit të tij.  Morina ka treguar për Sinjalin se çfarë deklaroi Leotrim Latifi në seancë për lidhjen e tij me të dyshuarin Ibrahim Qadrakun.

“Në seancën që u mbajt dje ai deklaroi se nuk ka të bëjë me këtë vepër për të cilën po dyshohet. Ai tha se “Unë nuk jam ai për të cilin dyshon Prokuroria”. Nuk e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet. Ky thotë se me Ibrahim Qadrakun njihen nga burgu, derisa kanë qenë në burg. Nuk mund të themi se Leotrim Latifi, me naj provë konkrete mund të jetë personi për të cilin dyshohet. Nga ana e Prokurorisë përveç një kërkesë dhe aktvendim për fillimin e hetimeve, nuk kemi prova të tjera”, tha Morina për Sinjalin.

Leotrim Latifi në seancën për caktimin e paraburgimit e ka përmendur edhe rastin për të cilin më parë dyshohej dhe kishte qenë në paraburgim deri në mars të këtij viti.

“Ne si mbrojtje nuk kemi ndonjë provë, që ai ka qenë në pamjet që janë publikuar. Në seancë ai edhe vet e deklaroi se ka disa muaj që ka dalë nga burgu, pasi është dyshuar për të njëjtën vepër. Tha se kam qëndru në burg me dyshimet e ngjashme dhe më pas është liruar”, shtoi tutje Morina.

Latifi u lirua nga Gjykata këtë vit

Leotrim Latifi është liruar nga paraburgimi më 26 mars të këtij viti.

Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, ai dhe të dyshuarit e tjerë për disa raste të grabitjeve, janë liruar pasi që kanë pushuar shkaqet për mbajtjen e tyre në paraburgim.

“Ju informojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda në përbërje nga trupi gjykues prej tre gjyqtarëve profesionistë, me datë 26.03.2021 kanë marrë vendim dhe të akuzuarve L.L, E.SH dhe K.SH iu është ndërprerë masa e paraburgimit dhe është urdhëruar masa Paraqitja në stacionin policor, pasi që trupi gjykues ka vlerësuar se kanë pushuar shkaqet për mbajtjen në paraburgim për të akuzuarit në fjalë”.

Gjykata Themelore në Prizren dje ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Leotrim Latifit dhe Ibrahim Qadrakut, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale;

grabitja në tentativë,
shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm,
mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve ,
grabitja,
sulmi ndaj personit zyrtar,
shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe
asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Ndërsa Ruzhdi Fejzullahut i është caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin se ka kryer veprën penale ndihma në grabitje.

Latifi dhe Qadraku njihen edhe më parë për organet e rendit

Leutrim Latifi është recidivist i veprave penale të grabitjeve në Kosovë. Ai dyshohej për shumë grabitje në fund të vitit 2018 dhe 2019, në banka e markete të ndryshme të vendit.

Ai në vitin 2018 ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi ishte i përfshirë në këto raste të grabitjeve.

Latifi ishte arrestuar në Mal të Zi në vitin 2019 dhe ishte ekstraduar për në Kosovë për të dalë para drejtësisë.

Më 21 shtator Latifi dhe një tjetër i dyshuar ishin liruar me procedurë të rregullt nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kurse më 24 shtator të njëjtit ishin arrestuar sërish nga Policia e Kosovës.

Sipas raportimeve të mediave, Ibrahim Qadraku ka qenë i akuzuar për dy grabitje të rënda në hotelin “Swiss Diamond”.

Ai gjithashtu ishte akuzuar për grabitjen në “TEB” në qershor të vitit 2014 dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Pamjet ekskluzive

Gazeta Sinjali mbrëmjen e së hënës kur edhe ndodhi kjo ngjarje, ka publikuar pamje ekskluzive të momentit të tentim grabitjes, ku mbetën të plagosur pronarët e argjendarisë Orhan dhe Ismet Kasemi. Të dyshuarit që terrorizuan qytetin, në momentet e tentim grabitjes ikën me një veturë të zezë, e cila më pas u gjet e djegur.

Për të mos mbaruar me kaq, të njëjtit grabitën një veturë të tipit Polo, të cilën po ashtu e dogjën.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/