image “Më godiste vazhdimisht” – 22-vjeçarja nga Peja denoncon burrin për dhunë fizike dhe psikike

Siguri

“Më godiste vazhdimisht” – 22-vjeçarja nga Peja denoncon burrin për dhunë fizike dhe psikike

news image

Një 22-vjeçare nga Peja ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikike, duke pretenduar se ishte rrahur brutalisht para se të arratisej nga shtëpia dhe të kërkonte ndihmë te familja e saj, mëson Sinjali.

Rasti është raportuar në Policinë e Pejës nga F. Q (22-vjeçare), e cila është intervistuar nga njësia për “Dhunë në Familje”.

Sipas deklarimit të saj, ajo ishte martuar me K. K në vitin 2025, por që nga fillimi i martesës kishte përjetuar dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikike.

Burimet bëjnë të ditur se sipas viktimës, incidenti i fundit kishte ndodhur më 5 maj 2026 në fshatin Pavlan të Pejës.

Ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj e kishte goditur me grushte në kokë dhe me shuplaka në fytyrë.

Sinjali mëson se pas sulmit, 22-vjeçarja kishte arritur të largohej nga shtëpia, kishte njoftuar familjen dhe më pas ishte strehuar te familjarët e saj.

Hetuesit kanë tentuar disa herë ta kontaktojnë të dyshuarin, por sipas Policisë nuk kanë arritur të kenë qasje në numrin e telefonit që kishte dhënë viktima.

Me udhëzim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si: “Dhunë në familje”.

Hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/