Ministria e Drejtësisë për më shumë se një vit ka dështuar të lidh kontratë për mirëmbajtjen e aparateve kundër zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga vet MD, duke u arsyetuar se kanë qenë ankesat e operatorëve ato që e kanë pamundësuar lidhjen e kontratës, raporton Gazeta Sinjali.
Në një përgjigje për Sinjalin, nga MD kanë deklaruar se tashmë është formuar një komision, i cili ka hartuar specifikat në bazë të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
“Lidhur me aktivitetin e prokurimit Servisimi, mirëmbajtjen dhe furnizim me aparate kundër zjarrit, detektor tymi, hidrantë të ujit, Ju njoftojmë se zyra e prokurimit e ka publikuar disa herë, por nuk kemi mundur të lidhim kontratë për arsye se kemi pasur ankesa nga operatorët.
Në këtë vit është formuar komisioni i hartimit të specifikave pas pranimit të vendimit të OSHP-së.
Komisioni e ka bërë hartimin e specifikave dhe kemi dërguar për publikim njoftimin për kontratë.”, thuhet në përgjigje.
Ndërkaq sa i përket rastit të fundit të zjarrvënies në IML, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se sipas informacioneve të para, shkaktar i zjarrit ka qenë një problem elektrik, por që ende nuk është konfirmuar pasi s’kanë dalë rezultatet nga ekzaminimet.
“Sa i përket pyetjeve se çka është ndërmarrë pas rastit të fundit të zjarrit në IML, Ju njoftojmë se së pari është marrë vendimi për formimin e një Komisioni i cili do ta bëjë vlerësimin e dëmeve, pastaj do të ndërmerren masat e nevojshme për parandalimin dhe korrigjimin e rasteve të tilla në të ardhmen.
Sipas informatave preliminare, shkaktari i zjarrit ka qenë një defekt në instalimin elektrik, i cili ka iniciuar fillimin e zjarrit, mirëpo shkaku përfundimtar do të dihet pasi të kryhet ekspertiza nga ekspertet relevant të autorizuar nga Prokuroria e Shtetit.”