image MD akuzon Prokurorinë Speciale për propagandë në rastin e Astrit Deharit: U publikuan vetëm 2 nga 5 konkluzione

Drejtësi

MD akuzon Prokurorinë Speciale për propagandë në rastin e Astrit Deharit: U publikuan vetëm 2 nga 5 konkluzione

news image

Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas raportit të Institutit të Zvicrës lidhur me rastin e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se rasti i Deharit është sprova ku sfidohet sistemi i drejtësisë, raporton Gazeta Sinjali.

MD shpreh zhgënjim dhe akuzon Prokurorinë Speciale të Kosovës për propagandë të rezultatit, duke thënë se kjo dëshmon mangësi të theksuar intelektuale, mungesë të njohurive shkencore, gjuhë jo profesionale dhe qëllim dashakeq.

Prokuroria Speciale akuzohet nga MD edhe se ka publikuar 2 konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi.

Pas më shumë se 5 vitesh, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje

Ende pa e pranuar familja e Astrit Deharit raportin e Institutit zviceran, Prokuroria Speciale publikon 2 konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi ato”, thuhet në komunikatë.

MD deklaron se papërgjegjësia e PSK-së po tenton ta ‘vrasë’ zbardhjen e drejtësisë në rastin e Astrit Deharit.

Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit. Papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë”, thuhet tutje në komunikatë.

Ndryshe Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ka konstatuar se objektet që u gjetën afër Astrit Deharit në momentin e vdekjes kanë përmbajtur vetëm profil të ADN-së së tij.

Bëhet fjalë për një brisk rroje, një stilolaps të lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale njoftoi se do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Komunikata e plotë e MD-së:

Drejtësia për Astrit Deharin, është sprova ku sfidohet sistemi i drejtësisë

Thirrjet qytetare “Drejtësi për Astritin”!, janë thirrje për triumf të drejtësisë. Drejtësia duhet të jetë e plotë, assesi e mangët. E qartë, assesi konfuze. E saktë, në hetimet e plota që duhet të kryhen dhe me ekspertizë shkencore.

Rasti i Astrit Deharit ka tronditur çdo qytetar të Republikës së Kosovës.

Jemi dëshmitarë të gjithë, që kur u dha lajmi që Astrit Dehari nuk është më i gjallë, një sërë implikimesh të institucioneve, qofshin ato të drejtësisë, qofshin mediet e pushtetit të atëhershëm, u sulën për të trumbetuar “vetëvrasjen” e Astrit Deharit.

Pas më shumë se 5 vitesh, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje!

Ende pa e pranuar familja e Astrit Deharit raportin e Institutit zviceran, Prokuroria Speciale publikon 2 konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi ato.

Nxitimi me komunikatë nga Prokuroria Speciale sikurse deklaratat e menjëhershme asokohe të kreut të policisë dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren, në mënyrë të ngjashme na rikthehen sërish me deklarata të Prokurorisë Speciale, pa kurrfarë nevoje për këtë nxitim.

Kujt i kontribuon një manipulim i tillë, ku publikohen konkludime të pjesëshme? Si munden organet e drejtësisë të jenë kaq tendencioze dhe selektive, veçmas një organ siç është prokuroria, e cila nuk guxon t’i shpërfillë asnjë nga hetimet që bëhen për asnjë rast të caktuar.

Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit. Papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë.

Përkundër pengesave që kanë vendosur, individë apo grupe të ndryshme, të cilët tentojnë ende që të pamundësojnë zbardhjen e rastit Dehari, ato nuk mund ta sfidojnë në tërësi drejtësinë.

Ministria e Drejtësisë bën sërish të qartë, që në mandatin e saj, përbrenda kompetencave që ka do të ndërmarrë çdo hap, çdo veprim për të forcuar në njërën anë sistemin e drejtësisë dhe do t’i përgjigjemi secilës kërkesë për drejtësinë e plotë për Astrit Deharin.

/GazetaSinjali/