image Mbyllet votimi në Gjermani, dalin rezultatet paraprake të exit pollit

Evropë

Mbyllet votimi në Gjermani, dalin rezultatet paraprake të exit pollit

news image

Rreth 60,4 milionë qytetarë me të drejtë vote u ftuan të votojnë për Bundestagun. Nga ora 18:00 ka nisur numërimi i votave. Institucionet e demoskopisë publikojnë shifrat paraprake nga exit poll.

Rezultatet paraprake sipas exit poll pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 18:00 janë:

CDU/CSU   24,7%

SPD     24,9%

AfD  11,3 %

FDP  11,2%

Të Gjelbërit  14,8%

E Majta   5%

Të tjera  8,1%

Për shkak të pandemisë së koronavirusit sivjet shumë zgjedhës kanë votuar në distancë me postë. Rreth 38 deri në 40 përçind të zgjedhësve mund të kenë votuar me postë. Edhe këto vota numërohen paralelisht me votat e hedhura fizikisht në kutitë e votimit gjatë së dielës (26.09).

Qytetareve dhe qytetarëve me të drejtë vote në Gjermani iu bë thirrje këtë të diele (26.09) të votojnë për një parlament të ri, Bundestag. Me votën e tyre zgjedhësit përcaktojnë se kush do të qeverisë në katër vitet e ardhshme pas 16 vjetësh me kristiandemokraten Angela Merkel si kancelare. Kjo e fundit nuk rikandoi më.

Sistemi elektoral në Gjermani parashikon dy lloj votash, vota e parë për kandidatët dhe vota e dytë për partitë. Është pikërisht vota e dytë për partitë që në bazë të numrit të votave përcakton edhe partinë me përqindjen më të lartë e si rrjedhojë edhe se kush do të jetë kancelare apo kancelar. Pra vota e dytë për partinë është përcaktuese edhe për kancelarin. Në bazë të rezultateve përcaktohet niveli i përfaqësimit politik në parlament dhe numri i mandateve për secilën parti.

Gjithsej janë 47 parti dhe grupime që konkurrojnë në zgjedhje – kaq shumë nuk ka pasur asnjëherë më parë në garë që pas ribashkimit të Gjermanisë. Në Bundestag-un e 20-të gjerman sidoqoftë me gjasë do të përfaqësohen vetëm gjashtë partitë e si deri më sot: CDU/CSU, SPD, Të Gjelbërit, FDP, AfD, E Majta.

Sipas sondazheve pritet që për herë të parë që nga viti 1957 në Gjermani të jetë i nevojshëm një koalicion qeverisës i përbërë nga tri parti. Asnjëra nga partitë me gjasë nuk mund të arrijë shumicën e nevojshme për të qeverisur vetëm ose në koalicion dysh. Kësisoj konstelacionet e mundshme janë nga më të ndryshmet, si më realiste duken modelet: CDU/CSU – Të Gjelbërit – FDP, ose opsioni SPD – TË Gjelbërit – FDP. Në një koalicion të tillë do të ishte mjaft e vështirë ujdia për përmbajtjen e marrëveshjes së koalicionit për shkak të koncepteve politike me dallime të mëdha mes këtyre partive. Një koalicion SPD – Të Gjelbër – Të Majtë duket më pak i mundshëm duke iu referuar shifrave nga sondazhet paraelektorale. Ndërsa një aleancë me partinë populliste të djathtë AfD e përjashtojnë të gjitha partitë. /Gazeta Sinjali/