Është mbyllur greva e urisë e disa të dënuarve në burgun e Peqinit. Bëhet e ditur se nga komunikimi i vazhdueshëm nga IEVP Peqin me të dënuarit është gjetur një gjuhë e përbashkët në lidhje me kërkesat e tyre. Të dënuarit janë në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre ndërsa kanë rënë dakord që të heqin dorë nga refuzimi i ushqimit.
Në grevën e urisë raportohet se kanë marrë pjesë edhe të dënuar me burgim të përjetshëm, të cilët prej vitesh sa herë janë organizuar greva urie kanë insistuar për të çuar në vend kërkesën e tyre, që për të dënuarit me burgim të përjetshëm me vendim të formës së prerë, të mund të përfitojnë nga lirimi para kohe me kusht, pasi të kenë vuajtur 25 vite.
Mësohet se nga ana e grupit të negociatorëve të përbërë me juristë të dërguar nga ana e ministrisë së Drejtësisë është pranuar që këto kërkesa të merren në shqyrtim.
Abcnews raporton se të dënuarit kanë arritur që kërkesat e tyre t’i vënë në rrugë ligjore ku theksohet se janë marrë parasysh të shqyrtohen për ndryshime në legjislacionin shqiptar.
Të burgosurit kanë bërë këto kërkesa si më poshtë:
Të lejohen hapja e takimeve normale me familjarë të afërm dhe kushërinj.
Ti lejohen të bëjnë 4- takime në muaj.
Për të dënuarit të cilët janë të martuar kërkojnë hapjen e takimit të zgjatur.
Kërkojnë ti hiqet kufizimi I numrave të regjistrimit të telefonave.
Në grevën e urisë raportohet se kanë marrë pjesë rreth 130 të dënuar. Mes organizatorëve raportohet se ishte edhe Tan Kateshi një emër i njohur i botës së krimit. Banda që drejtohej nga Artan Kateshi, që më pas mori dhe emrin e tij, aktivitetin e saj kryesor e ka nisur me grabitje në akset rrugore, vendosje gjobash, vjedhje me dhunë të makinave etj. Mbi grupin rëndojnë një sërë akuzash dhe tashmë shumica e tyre ose kanë vdekur ose janë në burg duke vuajtur dënimin.