Komisioni për Mbrojtjen e Popullsisë nga COVID-19 në Mal të Zi, me sugjerim të Institutit të Shëndetit Publik, ka miratuar sot masat e reja kundër përhapjes së koronavirusit, raporton vijesti.me, transmeton Gazeta Sinjali.
Sipas masave të reja, disa qytete në Mal të Zi si Podgorica, Cetinja dhe Herceg Novi do të jenë të mbyllura.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se masat e reja do të hyjnë në fuqi të martën, më 2 mars, dhe përveç masave që vazhdojnë të jenë të vlefshme në komunat e Budvës dhe Tivarit, qytetarëve u ndalohet që të largohen nga komunat si Podgorica, Cetinja, Ulqini, Herceg Novi, Niksiç dhe Pluçine.
Nga këto masa përjashtohen qytetarët që largohen nga qyteti për shkak të detyrave të rregullta të punës dhe në bazë të konfirmimit të punëdhënësit, shkojnë për trajtim me dokumentacion mjekësor ose kujdes për njerëzit që nuk mund të kujdesen për veten e tyre.
Po ashtu, nga masat përjashtohen edhe studentët të cilët udhëtojnë nga vendbanimi i tyre deri në selinë e institucionit arsimor të lartë, duke u bazuar edhe në konfirmimin e atij institucioni, pra indeksin e plotësuar dhe të verifikuar.
Ndalohet edhe operimi i objekteve hotelierike në Podgoricë, Cetinje dhe komunat e Nikshiqit, Herceg Novit, Kotorrit, Ulqinit dhe Pluçinës. Kjo masë do të hyjë në fuqi nesër, 1 Mars dhe do të jetë e vlefshme deri më 10 Mars./Gazeta Sinjali/