Mbrojtja e të akuzuarit për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës ka propozuar ndërprerjen e masës së paraburgimit për Enver Sekiraqën dhe të njëjtit t’i vendoset masa e arrestit shtëpiak.
Këtë kërkesë e ka bërë avokatja mbrojtëse e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi, gjatë seancës së të enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ajo ka thënë se familja e Sekiraqës ofron gjashtë prona hipotekë si garanci për prezencën e të akuzuarit në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas avokates Kelmendi, Sekiraqa gjendet nën masën e paraburgimit afër një dekadë dhe se babain e tij e kishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Unë kam edhe një arsye shtesë kësaj radhe, e që është gjendja shëndetësore e rëndë e babait të të akuzuarit, i cili që nga java e kaluar gjendet i shtrirë në spital në QKUK në Prishtinë. Lidhur me këtë gjykatës do t’i dorëzoj edhe dokumentacionin mjekësor për gjendjen e babait të tij”, ka thënë avokatja Kelmendi.
Ajo ka thënë se Enver Sekiraqa ndodhet në paraburgim prej nëntë vitesh duke iu shkelur të drejtat për gjykim fer dhe të drejtë.
“Ju rikujtoj se për një dekadë të qëndrimit të tij në paraburgim saktësisht 9 vite, shumë familjarë të tij kanë vdekur, vazhdimi i pafund i masës së paraburgimit është shkelje flagrante e të drejtës së të akuzuarit për një gjykim fer dhe të drejtë brenda një afati të arsyeshëm ligjor”, ka thënë avokatja Kelmendi.
Ajo ka thënë se si formë të garancës për sigurimin e prezencës së të akuzuarit Sekiraqa në shqyrtime gjyqësore, familja e ngushtë e tij lë në hipotekë në formë të garancës gjashtë prona të cilat janë në emër të vëllaut të të akuzuarit Sekiraqa, Naser Sekiraqa.
Por me këtë propozim nuk është pajtuar prokurori special, Haki Gecaj, i cili ka thënë se ishin në rigjykim dhe se duhet të dëgjohen edhe shumë dëshmitarë, prandaj sipas tij, propozimi për ndërprerjen e paraburgimit ishte i pabazuar.
Lidhur me këtë propozim trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Agim Kuçi ka njoftuar se do të vendosë jashtë seance.
Në këtë seancë kanë munguar dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, për të cilat prokurori Gecaj ka thënë se mbetet pranë propozimit që të njëjta të ftohen përsëri në seancën e radhës, pasi sipas tij, dëshmia e tyre është e rëndësishme për ndriçimin e çështjes dhe gjendjes faktike në këtë çështje penale.
Mirëpo, avokatja Kelmendi ka kërkuar nga gjykata që të lexohen deklarata e këtyre dëshmitareve, pas sipas saj edhe në gjykimin e kaluar edhe pse rasti kishte qenë në rigjykim, vetë prokurori Gecaj ishte pajtuar që deklaratat e tyre të lexohen.
Por trupi gjykues, e ka aprovuar propozimin e prokurorit Gecaj që për seancën e radhës të dëgjohen dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, për sigurimin e të cilave gjykatësi Kuçi ka thënë se do të urdhërohet Policia e Kosovës që të njëjtave ftesat t’u dorëzohen personalisht.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej dëshmitarja Kaltrina Berisha, e cila në fillim të seancës ka deklaruar se bashkëshorti i saj të akuzuarin Sekiraqa e kishte djalë të hallës.
E njëjta para fillimit të dëshmisë ka thënë se mbetet pranë deklaratave që kishte dhënë në fazat e mëhershme, duke kërkuar nga gjykata që të lirohet nga dëshmia për shkak se sipas saj, duhej të kujdeset për fëmijën e saj pesëmuajsh.
Pasi këtë propozim nuk e ka kundërshtuar prokurori Gecaj e as avokatja Kelmendi, trupi gjykues ka aprovuar propozimin që të lexohen deklarata e saj e dhënë me 17 janar 2008 në zyrën e prokurorit special, deklarata e dhënë në 21 nëntor 2014 në shqyrtimin e kaluar gjyqësor dhe deklarata e dhënë në shqyrtimin gjyqësor në vitin 2019.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 15 nëntor 2021, në ora 09:30./Gazeta Sinjali/