Avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pritet që më 2 qershor të dorëzojnë mocionin për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës ndaj tyre në Dhomat e Specializuara. Pas dorëzimit të mocionit, Prokuroria e Specializuar do të ketë një afat prej një muaji për të dhënë përgjigjen e saj, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndërkohë, deklarata e fundit e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e cila e justifikoi zhvillimin e procesit gjyqësor jashtë Kosovës me protestën e veteranëve, ka ngjallur reagime të ashpra.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Fatmir Sopi, i cilësoi deklarimet e saj si të pavërteta dhe dashakeqëse, duke kujtuar se në Kosovë janë zhvilluar gjykime të ngjashme ndër vite pa probleme sigurie.
“Unë mendoj se nuk është e vërtetë ajo, sepse gjykime ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pasur që nga paslufta, me gjykata të UNMIK-ut, me gjykata të EULEX-it, po ashtu edhe në gjykata vendore. Prandaj, asnjë problem nuk ka pas zhvillimi i këtyre gjykimeve brenda në Kosovë. Ajo duhet ta dijë që dikush që e quan UÇK-në ndërmarrje të përbashkët kriminale nuk do të pritet kurrë në Kosovë me lule, do të pritet gjithmonë me protesta”, ka thënë Sopi për Radio Televizionin e Kosovës.
Nga ana tjetër, është bërë e ditur se një nga aplikuesit për statusin e viktimës ka pretenduar se UÇK-ja i ka bërë “magji të zezë” dhe e ka “hipnotizuar”. Prokuroria e Specializuar ka sqaruar se Gjykata i ka refuzuar të gjitha aplikimet e këtij personi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!