Avokati i Rexhep Selimit, David Young, e ka përdorur një deklaratë të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kërkesën e tij, parashtruar Dhomave të Specializuara për lirimin e përkohshëm të klientit të tij, shkruan Gazeta Sinjali.
Teksa ka arsyetuar se nuk ekziston rreziku i arratisjes së Selimit në rast se ai lihet i lirë, Young, shkruan se, Kurti thotë se veprimtaria e Selimit është karakterizuar gjithmonë nga përkushtimi i plotë, nderi dhe integriteti në ushtrimin e detyrave të tij.
“Rreziku i arratisjes. Z. Selimi është një figurë publike që është i njohur në të gjithë Kosovën si politikan në partinë politike Vetëvendosje dhe aktualisht shërben si anëtar i Kuvendit të Kosovës në emër të asaj partie, ku është gjithashtu Shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Siç shpjegohet nga Z. Albin Kurti, udhëheqësi i partisë politike më të madhe të Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, veprimtaria patriotike dhe profesionale e Z. Selimi është karakterizuar gjithmonë nga përkushtimi i plotë, nderi dhe integriteti në ushtrimin e detyrave të tij. Këto detyra kanë qenë thelbësore, duke filluar me pozicionin si Ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (1999-2000), ajo e Komandantit të Akademisë së Mbrojtjes (2000-2003), dhe shumicën e kohës, ajo e fundit e deputetit të partisë politike Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar avokati.
Young ka kërkuar që Selimi të lirohet përkohësisht me apo pa kusht.
Ai ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake që të vendos ta mbajë një seancë dëgjimore për këtë çështje më 16 dhjetor.
Gjithashtu, mbrojtja ka kërkuar që të reduktohet afati kohor i marrjes së përgjigjes në lidhje me aplikimin, nga 10 në katër ditë./Gazeta Sinjali/