image Mbrojtja e Mustafës përplaset me Prokurorinë, shkak vizitat në Kosovë

Drejtësi

Mbrojtja e Mustafës përplaset me Prokurorinë, shkak vizitat në Kosovë

news image

Mbrojtësi i ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, ka deklaruar sot gjatë seancës përgatitore pranë Gjykatës Speciale se javët e ardhshme ka planifikuar që t’i realizojë tri udhëtime për në Kosovë, në mënyrë që të mbledhë prova shfajësuese për klientin e tij dhe të zhvillojë hetimet e tij për rastin, transmeton Gazeta Sinjali.

Avokati Julius Von Bone tha se planifikon që vizitën e parë në Kosovë ta bëjë të mërkurën e ardhshme, ndërsa dy të tjera në muajin korrik dhe gusht.

Lidhur me këtë, Prokuroria ka thënë se do të ishte më mirë që vizitat të kryhen pas parashtrimit të argumenteve nga organi i akuzës dhe trupi gjykues.

“Udhëtimi im do të jetë të mërkurën. Do të qëndroj 8-9 ditë. Udhëtimi i dytë në korrik. Udhëtimi i fundit është parashikuar në javën e parë të gushtit”, tha avokati holandez.

Në anën tjetër, një prokuror nga Zyra e Prokurorit Special tha se “Prokuroria kërkon që vizitat të bëhet mbasi që të jenë parashtruar argumentet nga Prokuroria dhe trupi gjykues”.

Në kundërpërgjigjje, Von Bone tha se kjo vizitë duhet të bëhet para se të dëgjohen dëshmitarët.

“Mendoj se duhet të bëhet vizita para dëgjimit të dëshmitarëve dhe ne i qëndrojmë kësaj pikëpamje”, tha ai.

Lidhur me këtë, Gjykata tha që e sheh më të përshtatshme që këto vizita të kryhen pasi që të kenë përfunduar pushimet verore të Gjykatës. /GazetaSinjali/