Konferenca e dytë përgaditore për gjykim në rastin e ish-krerëve të OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj është duke u mbajtur në të cilën është diskutuar rreth paketave që vitin e kaluar u dorëzuan në zyrat e organizatës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se ato materiale kanë qenë konfidenciale, për çka nga mbrojtja është thënë se të akuzuarit nuk kanë qenë në dijeni për natyrën e atyre dokumenteve.
Nga ZPS u tha se të gjitha që përmenden brenda paketave të materialeve janë material i mbrojtur.
“Të gjitha që përmenden brenda paketave të materialeve janë material i mbrojtur sidomos kjo përmendet në paragrafin 37, vendimit të konfirmimit. Sikurse thash dje, çdo gjë që tha mbrojtja dje vërtetoi se ata e kanë të qartë që materialet që janë dorëzuar janë konfidenciale, kundërshtimet e mbrojtjes së Gucatit kanë të bëjnë me së pari klasifikimin e dokumenteve që janë dorëzuar dhe autenticitetin e tyre mirëpo ZPS do të paraqes prova gjatë gjykimit që do të vërtetojë se materialet e dorëzuara ishin të klasifikuara si konfidenciale. Gjykatësit do të dëgjojnë dëshmi në lidhje me pjesë të këtyre dokumenteve që ju treguan mediave”, ka thënë prokurori.
Por, nga mbrojtja e të akuzuarve është thënë se Gucati e Haradinaj përveç që nuk kanë qenë dijeni nëse ato dokumente janë konfidenciale, të njëjtit nuk e kanë ditur nëse ato janë autentike.
Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka thënë se ZPS nuk e ka vërtetuar statusin e mbrojtur konfidenciale të dokumenteve.
“Të akuzuarit e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre, ata nuk e kanë ditur se natyra e këtyre dokumenteve ishte konfidenciale apo nëse këto dokumente ishin autentike apo false, zoti Gucati nuk është avokat, nuk është jurist, dhe ato duhet të shihen dhe të pranohen si të tilla pra si komente të bëra nga një person që nuk është jurist“.
E avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman ka mbështetur qëndrimin e mbrojtjes së Gucatit.
“Qëndrimi ynë është i ngjashëm me atë të zotit Rees, sipas nesh trupi gjykues do të duhet t’i shikoj të gjitha ato video incizime të gjitha konferencat për shtyp, dhe të gjitha komentet e bëra në media, dhe ato t’i bëjë brenda një konteksti. Nuk është e mjaftueshme që trupi gjykues ti shqyrtoj në hollësi to materiale vetëm nga transkriptet, duhet t’i shikoj të gjitha to brenda një konteksti para se të nxjerr vendimet e veta” ka thënë Cadman. /KP/
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /GazetaSinjali/