image Mbrojtësi i viktimave kërkon përfshirjen e ekspertizave si prova kundër ish-krerëve të UÇK-së

Drejtësi

Mbrojtësi i viktimave kërkon përfshirjen e ekspertizave si prova kundër ish-krerëve të UÇK-së

news image

Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – mbrojtësi i viktimave ka paraqitur dy ekspertiza të reja për pranim si prova materiale, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Michael Doyle, gjatë informimit javor për media. Ai tha se njëra ekspertizë fokusohet në dëmet psikologjike që kanë përjetuar viktimat, ndërsa tjetra dokumenton dëmin material.

Përveç këtyre, mbrojtësi i viktimave ka kërkuar që edhe akt-ekspertizat nga rastet gjyqësore të Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës të pranohen si prova në këtë proces, pasi ato lidhen me viktima të përfshira në procedurat kundër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Ndërkohë, Doyle njoftoi se trupi gjykues ka hedhur poshtë një kërkesë të mbrojtjes së Kadri Veselit për të apeluar dy vendime të mëparshme lidhur me pranueshmërinë e provave në këtë rast.

“Trupi gjykues konstatoi se vlera provuese e provave të paraqitura nuk zhbëhej prej efektit dëmtues ndaj të akuzuarit”, tha Doyle.

Në një çështje tjetër që lidhet me ndikimin e supozuar ndaj dëshmitarëve nga disa persona të lidhur me rastin kryesor, gjykatësja e procedurës paraprake hodhi poshtë kërkesën e Bashkim Smakajt për të apeluar vendimin për refuzimin e pezullimit të procesit. Kjo kërkesë u cilësua si e dorëzuar jashtë afatit ligjor.

“Në vendimin e saj të fundit, gjykatësja e procedurës paraprake shpjegoi gjithashtu se, edhe nëse kërkesa do të ishte dorëzuar në kohë, leja për apel nuk do të ishte miratuar sepse pika e parë dhe pika e dytë që ngriti mbrojtja në kërkesë thjesht shprehin mospajtim me vendimin e mëparshëm të gjykatëses, ndërsa pika e tretë e ngritur nga mbrojtja përbënte shtrembërim të qartë të vendimit të gjykatëses,” shtoi Doyle.

Gjithashtu, zëdhënësi i DhSK njoftoi se gjyqtari ndërkombëtar Keneth Roberts është dorëhequr nga regjistri i gjyqtarëve të kësaj gjykate. Ai bëri të ditur edhe se seancat e Apelit ndaj Pjetër Shalës pritet të zhvillohen më 15 dhe 16 maj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/