image Mbrohet në heshtje i akuzuari për vrasjen e para 30 viteve në Deçan
[wp-story id="814678"]

Drejtësi

Mbrohet në heshtje i akuzuari për vrasjen e para 30 viteve në Deçan

news image

Sot, në Gjykatën Themelore në Pejë, ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj Hasan Zenelajt, i akuzuar për vrasjen e Z.U., në vitin 1989 në Deçan, raporton Gazeta Sinjali.

Pas administrimit dhe leximit të provave materiale, Hasan Zenelaj deklaroi se do të mbrohet në heshtje, ashtu siç kishte vepruar edhe në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Kësisoj, u ndërpre seanca e sotme. Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 18 gusht të këtij viti, në orën 13:30, kur pritet të jepet fjala përfundimtare.

Zenelaj në shkurt të vitit 2020 ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 11 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Pejë, por Apeli e kishte anuluar këtë aktgjykim, duke e kthyer rastin në rigjykim.

Apeli kishte vlerësuar se gjykata e shkallës së parë kishte bërë shkelje procedurale dhe e njëjta nuk e kishte bërë vërtetimin e plotë të gjendjes faktike, si dhe nuk kishte dhënë arsye për faktet vendimtare, përderisa ato që i kishte dhënë ishin të paqarta dhe të papranueshme.

Sipas aktakuzës, Hasan Zenelaj, më parë i njohur me emrin Besim Zenelaj, akuzohet se më 20 tetor të vitit 1989, rreth orës 09:30, në Deçan, në rrugën ish “Eduar Kardeli”, në afërsi të kanalit për ujitje, me marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Z.U, i moshës 25-vjeçare, nga fshati Strellc i Epërm.

Në aktakuzë thuhet se kësaj vrasjeje i kishte paraprirë një rrahje e cila kishte ndodhur në qershor të atij viti, mes Zenelajt dhe vëllait të 25-vjeçarit./Gazeta Sinjali/