image Mbretëria e Bashkuar: Oficerët rusë mund të përfundojnë në gjykatë

Botë

Mbretëria e Bashkuar: Oficerët rusë mund të përfundojnë në gjykatë

news image

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), mund të akuzojë oficerët rusë si të dyshuar për krime të kryera gjatë sulmit në Ukrainë.

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën në mbrëmje, zyra e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se ka “udhëhequr përpjekjet për të bashkuar aleatët”, duke përfshirë të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, si dhe Kanadanë, Zelandën e Re dhe Zvicrën, për të raportuar regjimin e Vladimir Putin në gjykatë.

Zëvendëskryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, që është edhe sekretar i Drejtësisë, tha se “si anëtar themelues i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme”.

“Çdo lider apo oficer rus që zbaton urdhra që përbëjnë krime lufte, duhet ta dijë se do të mund të përfundojë në bankën e të akuzuarve dhe në burg”, shtoi Raab.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se regjimi i Putinit ka shënjestruar edhe civilët dhe shtoi se “Mbretëria e Bashkuar do të punojë ngushtë me aleatët për të siguruar që drejtësia të vihet në vend”.

/GazetaSinjali/