Garda Kufitare e Polonisë ka thënë se numri i refugjatëve që kanë hyrë në këtë shtet nga Ukraina – prej nisjes së pushtimit rus – ka kaluar shifrën dy milionë.
Ky numër është më i madh sesa popullsia e kryeqytetit polak, Varshavës.
Garda Kufitare ka thënë përmes një postimi në Twitter të premten se numri i refugjatëve që hyjnë në Poloni është duke u zvogëluar çdo ditë.
Sipas saj, 52,000 njerëz kanë kaluar kufirin në 24 orët e fundit, raporton REL.
“Shumica janë gra dhe fëmijë. Zyrtarët e Gardës janë polakët e parë që u ndihmojnë atyre pas kalimit të kufirit. Shumicën e kohës, shprehja e mbështetjes do të thotë shumë”, ka thënë Garda Kufitare.
Më shumë se 3 milionë njerëz kanë ikur prej luftës në Ukrainë, sipas Kombeve të Bashkuara.
Ende nuk është e qartë sa refugjatë janë tani në Poloni, pasi shumica prej tyre kanë udhëtuar drejt vendeve tjera.