image Mbi 92 përqind të votave të numëruara, VMRO e para Fronti i dyti – çfarë u tha në deklaratat e para?

Rajon

Mbi 92 përqind të votave të numëruara, VMRO e para Fronti i dyti – çfarë u tha në deklaratat e para?

news image

Në Maqedoninë e Veriut të mërkurën e 8 majit janë mbajtur zgjedhjet parlamentare si dhe balotazhi në garën për president.

Në të dyja proceset ka fituar bindshëm në nivel nacional VMRO, duke marrë 43,14% apo 394.082 – që në mandate deputetësh përkthehet si 59 sosh.

Deri më tani janë numëruar mbi 92 për qind të votave.

Në kampin shqiptar është përpara Fronti Evropian që ka 14,06% apo 128.416 vota. Nënkupton 18 mandate. Në një konferencë për media kreu i BDI Ali Ahmeti tha se Fronti Evropian ka siguruar 19 mandate, duke e përmendur se në total mund t’i marrin 20 por duhen pritur rezultatet finale.

Në anën tjetër, koalicioni VLEN ka 13 mandate që nënkupton 10.98% apo 100.308 vota.

Subjekti politik maqedonas që ka drejtuar pushtetin ka marrë 137.936 vota apo 15,10%.

Ky subjekt politik ka dalë keq në garën për president, pasi Stevo Pendarovski ka marrë 230.930 vota  apo 29,30%. Rivalja e tij Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO 512.300 vota apo 65,01%.

Çka u tha pas rezultateve?

Kryetari i VMRO-së Hristijan Mickoski, në konferencë për shtyp pas publikimit të rezultateve të para, ka thënë se “populli nuk lejoi që individët të krijojnë kriza”.

Ai gjithashtu tha se “është koha që LSDM dhe BDI të shkojnë në opozitë”.

“Ia dolëm! Maqedonia fitoi! Një fitore historike e popullit. Humbi bojkoti i BDI-së! Populli ka treguar se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrojnë veten përmes institucioneve. Është koha që BDI së bashku me LSDM-në të shkojnë në opozitë”, ka deklaruar ai.

Në të njëjtën linjë është edhe koalicioni VLEN. Në sheshin e Tetovës Bilall Kasami nga koalicioni VLEN tha se ata janë fitues në kampin politik shqiptar, ndërsa falënderoi edhe diasporën.

“Në këtë atmosferë impozante shpallim fitore në kampin politik shqiptar. Koalicioni VLEN është është fitues absolut i këtyre zgjedhjeve dhe për këtë falënderojmë diasporën të cilët erdhën për të votuar ndryshimin, falë tyre…edhe një herë ata treguan se në vendlindjen e tyre ata janë faktor ndërkombëtar dhe në këtë rast ne i falënderojmë nga zemra për çdo votë të marrë. 100 mijë herë faleminderit diasporë”, tha Kasami.

Ndërkaq, Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në konferencë për shtyp u shpreh Fronti Evropian tashmë është forca e dytë politike në vend dhe ka mbi 30 mijë vota diferencë ndaj koalicioni VLEN.

“VMRO-ja e ka ndihmuar shumë VLEN-it, por dallimi është mbi 30 mijë vota mes Frontit Evropian dhe VLEN-it. Kjo do të thotë që qytetarët, shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët të cilët kanë vepruar në kuadër të Frontit janë për anëtarësim të pakompromis të vendit në BE”, tha Ahmeti duke shtuar se kjo është alternativë e vetme, jo vetëm për qytetarët e frontit, por për gjithë qytetarët e vendit”, ka deklaruar ai.

Nga këto zgjedhje e zhgënjyer ka dalë LSDM-ja, lideri i këtij subjekti politik gjatë paraqitjes së parë pas përfundimit të zgjedhjeve, pranoi se partia që drejtohej nga ai përjetoi goditje të fortë në këto zgjedhje, duke i quajtur zhgënjyese rezultatet e zgjedhjeve të 8 majit.

/GazetaSinjali/