Humbja në finalen e Kupës së Botës 2026 vazhdon të shkaktojë reagime të forta në Argjentinë.
Një peticion i nisur në platformën “Change.org”, që kërkon riluajtjen e finales së humbur 1-0 ndaj Spanjës, ka kaluar tashmë mbi 90 mijë nënshkrime.
Iniciativa është nisur nga tifozja argjentinase Gisela Sanchez, e cila kundërshton vendimet e gjyqtarit slloven Slavko Vinçiq gjatë sfidës së zhvilluar të dielën e kaluar. Në peticion, ajo i kërkon FIFA-s të rishikojë vendimet e marra gjatë ndeshjes, duke pretenduar se gjykimi ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
Megjithatë, peticioni nuk përmban prova konkrete për gabime të rënda që do të mund të justifikonin anulimin apo përsëritjen e finales. Gjithashtu, nisma të tilla të tifozëve nuk kanë ndikim ligjor apo sportiv në vendimet e FIFA-s.
Ndërkohë, Argjentina është përballur edhe me kritika nga mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale, ku është akuzuar për mungesë respekti ndaj kundërshtarit dhe vështirësi për ta pranuar humbjen.
Këto akuza i ka kundërshtuar presidenti argjentinas Javier Milei, i cili i ka quajtur kritikët e kombëtares “ziliqarë”.
“Problemi i Argjentinës është se ne jemi tërheqës, nuk kalojmë pa u vënë re, njerëzit na kanë zili dhe ne jemi të mirë në pothuajse çdo gjë”, ka shkruar Milei në rrjetet sociale, teksa ka publikuar edhe një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqet me fanellën e kombëtares argjentinase.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!