image Mbi 600 dronë të paautorizuar u ndaluan mbi stadiumet e Botërorit në SHBA

Futboll

Mbi 600 dronë të paautorizuar u ndaluan mbi stadiumet e Botërorit në SHBA

news image

Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se gjatë zhvillimit të Kupës së Botës janë identifikuar dhe ndaluar më shumë se 600 dronë që kishin hyrë në mënyrë të paautorizuar në hapësirën ajrore mbi stadiumet ku po zhvillohen ndeshjet.

Sipas FBI-së, rastet janë regjistruar në të gjitha 11 qytetet pritëse të turneut në Shtetet e Bashkuara. Numri më i madh i shkeljeve është evidentuar në Miami me 99 dronë, i ndjekur nga Atlanta me 77 dhe Kansas me 32.

Operacioni i monitorimit është zhvilluar në bashkëpunim mes FBI-së dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), në zbatim të kufizimeve të përkohshme të fluturimit të vendosura nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) për zonat përreth stadiumeve dhe vendeve ku organizohen aktivitetet zyrtare të turneut.

Autoritetet kanë rikujtuar se shkelja e këtyre rregullave mund të sjellë pasoja të rënda ligjore, duke përfshirë gjoba të konsiderueshme, procedime penale, burgim deri në një vit dhe sekuestrimin e dronit.

Ndërkohë, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) ka akorduar 625 milionë dollarë për të forcuar masat e sigurisë dhe gatishmërinë ndaj emergjencave gjatë turneut.

Finalja e Kupës së Botës, që do të zhvillohet në stadiumin MetLife në East Rutherford, New Jersey, është klasifikuar si një Ngjarje Kombëtare e Sigurisë Speciale (NSSE). Për këtë arsye, do të zbatohen masa të jashtëzakonshme sigurie, të koordinuara nga Shërbimi Sekret, FBI, FEMA dhe agjencitë e tjera federale, me monitorim të vazhdueshëm të hapësirës ajrore dhe sisteme të avancuara kundër dronëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/