Drejtori i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), Afrim Atashi tha mbi 40 zyrtarë të lartë janë akuzuar për mosdeklarim të pasurisë.
Sipas tij, të gjithë zyrtarët e lartë të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe që nuk kanë pasur arsye të mjaftueshme kundrejt tyre janë ngritur kallëzime penale.
“Janë rreth 40 deri në 50 edhe pse tash zyrtarët e lartë publik kanë sjellë arsyetime pas afatit të deklarimit të pasurisë dhe ato pasi të dalin statistikat se sa e kanë deklaruar vinë pastaj, mirëpo të gjithë ata që nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe nuk kanë pasur arsye të mjaftueshme dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë, agjencia ka paraqitur kallëzime penale dhe janë prokuroritë kompetente ku edhe tash në baza ditore mbajmë informata dhe kështu do të ndodhë edhe në këtë afat”, u shpreh ai për EO.
Atashi shpreson që deri në fund të këtij viti të finalizohet Ligji për Agjencinë dhe ai për deklarimin e pasurisë.
“Prapë nuk po ndëshkohen ashtu si parashihet me ligj, do të thotë kemi falje dhe dënime shumë të ulëta për mosdeklarim të pasurisë edhe pse kjo do të marrë fund me ndryshimin e Ligjit për deklarimin e pasurisë ku është paraparë që të sanksionohen si kundërvajtje fillimisht nëse nuk deklarohen në afatin e paraparë ligjor pra me gjobë dhe nëse edhe një herë nuk e deklaron pasurinë pastaj shkon dhe bëhet vepër penale dhe kjo është një bazë e mjaftueshme për prokurorinë, gjykatën që qëllimi se pse nuk po e deklaron pasurinë dhe mundet me i ndëshkuar me dënime më të mëdha të ardhmen”, shtoi ai. /Gazeta Sinjali/