Më shumë se 40 raste të dhunës seksuale janë shënuar vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2020 në Kosovë.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, viktima të këtyre veprave në numër më të madh janë gratë.
Gjatë këtyre pesë muajve, 16 gra janë përdhunuar, në mesin e tyre edhe të mitura, ndërkaq dy raste kanë mbetur në tentativë. Sipas shifrave zyrtare, gjatë kësaj kohe është përdhunuar edhe një burrë. Për periudhën e njëjtë, nëntë gra e një burrë janë sulmuar seksualisht.
Sipas po këtyre statistikave, për periudhën janar-maj 2020, një rast është raportuar për “marrëdhënie seksuale brenda familjes”, dy raste për “degradim të integritetit seksual” dhe katër raste “bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16-vjeçare”. Në të gjitha rastet viktima janë gratë.
Ndërkaq për vitin 2019, 166 raste janë raportuar në Polici për veprat penale kundër integritetit seksual, shkruan Koha. Edhe gjatë vitit të kaluar, numri i viktimave gra ka qenë shumë i madh në raport me gjininë tjetër. Në 145 raste, viktima kanë qenë gratë, ndërkaq në 17 raste, burrat.
34 gra e katër burra janë raportuar se janë dhunuar për vitin 2019, kurse 6 raste kanë mbetur në tentativë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas dy rasteve të përdhunimeve në fillim të majit në Mitrovicë, iu ka bërë thirrje institucioneve që t’i trajtojnë me seriozitet rastet e tilla.
Ajo ka deklaruar se masa e paraburgimit nuk do të duhej të zëvendësohej me masa të lehta ose lirim në procedurë të rregullt, pasi sipas saj, ky është inkurajim për dhunuesin dhe i motivon ata për përsëritje të veprës penale./Gazeta Sinjali/