image Mbi 36 mijë persona marrin pension si veteranë të UÇK-së

Sociale

Mbi 36 mijë persona marrin pension si veteranë të UÇK-së

news image

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për tremujorin e katërt 2021, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontribut paguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme.

Publikimi ofron skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë TM4 2021: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25 mijë e 895 familje me gjithsej 102 mijë e 904 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 mijë e 460 familje.

Ndërkaq, nga skemat pensionale rezulton se: nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 141 mijë e 162 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 49 mijë e 872 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 mijë e 545 përfitues; nga skema për pensionet invalidore janë 68 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 2 mijë e 028 përfitues.

Nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1 mijë e 223 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 625 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 mijë e 460 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 mijë e 903 përfitues.

Nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2 mijë e 662 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 mijë e 293 përfitues dhe nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 804 përfitues. Ndërsa, nga skema e viktimave civile janë 1 mijë e 023 përfitues.

Ndërkaq, ASK ka bërë të ditur se gjatë këtij tremujori janë braktisur 4 fëmijë.

/GazetaSinjali/