Më shumë se 300,000 britanikë besohet se e kanë lënë duhanin gjatë krizës së koronavirusit pas raportimeve se duhanpirësit janë më të rrezikuar ndaj sëmundjes së re.
Sipas një hulumtimi të përbashkët të organizatave “YouGov” dhe “Action on Smoking and Health”, 550,000 të tjerë kanë bërë përpjekje që të heqin dorë nga duhanpirja, ndërsa 2.4 milionë njerëz e kanë rralluar thithjen e cigareve.
Në anketën e realizuar me 1,004 pjesëmarrës u zbulua se 2 për qind e duhanpirësve e kanë lënë cigaren për shkak të shqetësimeve rreth koronavirusit, 8 për qind janë përpjekur të heqin dorë, 36 për qind e kanë pakësuar duhanpirjen dhe 27 për qind kanë gjasa të heqin dorë nga duhani.
Çereku i pjesëmarrësve në këtë anketë thanë se kanë më pak gjasa që ta vazhdojnë duhanpirjen, ndonëse 4 për qind thanë se pandemia i ka shtyrë më shumë që t’i kthehen kësaj shprehie.
Rezultatet e hulumtimit u mirëpritën nga disa organizata shëndetësore dhe grupe që bëjnë fushata kundër duhanpirjes, shkruan “The Guardian”./ Gazeta Sinjali/