Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Izraelit të paktën 17.9 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës.
Kështu thotë një raport i publikuar të hënën nga projekti Kostoja e Luftës në Universitetin Brown.
Sipas raportit, publikimi i të cilit përkon me përvjetorin e sulmit të Hamasit në Izraelin jugor, ndihma ushtarake amerikane çoi në përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Rreth 4.86 miliardë dollarë të tjera janë shpenzuar në operacionet e shtuara ushtarake të Shteteve të Bashkuara në rajon që nga sulmet e 7 tetorit 2023, thanë studiuesit e përfshirë në përpilimin e këtij raporti, të cilin ata e ndanë me agjencinë e lajmeve Associated Press.
Kjo përfshin kostot e operacioneve të udhëhequr nga marina amerikane për të frenuar sulmet ndaj anijeve të transportit të mallrave nga rebelët e grupit Huthi në Jemen, të cilët thonë se po sulmojnë anijet për të shprehur solidaritetin e tyre me Hamasin.
Këto dy organizata, që Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur terroriste, mbështeten nga Irani.