Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka vazhduar zbatimin e masave ndaj mjeteve të rënda që nuk respektojnë kufizimet e peshës së lejuar në rrugët e Kosovës.
Sipas të dhënave të publikuara nga ministria, vetëm më 1 korrik janë shqiptuar 24 kundërvajtje ndaj kamionëve që kanë tejkaluar peshën e përcaktuar me ligj. Vlera totale e gjobave arrin në 13 mijë e 910 euro.
Nga kjo shumë, 13 mijë e 140 euro janë shqiptuar ndaj operatorëve ekonomikë, ndërsa 770 euro ndaj personave fizikë.
Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në terren dhe do të zbatojë me përpikëri masat ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat për ngarkesën e mjeteve të rënda.
Sipas autoriteteve, mbingarkesa e kamionëve jo vetëm dëmton infrastrukturën rrugore, por paraqet edhe rrezik për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
Ministria ka paralajmëruar se nuk do të ketë tolerancë ndaj operatorëve që nuk respektojnë vendimet dhe standardet e përcaktuara për qarkullimin e mjeteve të rënda.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!